|
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dhe homologu i tij kroat, Ivo Sander, janë informuar dje në drekë nga drejtuesit e protokollit të Samitit të Bukureshtit, që sot në orën 11:00 duhet të mbajnë fjalën e tyre të rastit para krerëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s dhe atyre partnere, pikërisht pas dhënies së ftesës për anëtarësim që dy vendet ballkanike do ta marrin në ditën e dytë të Samitit të Bukureshtit. Ndërkaq, në lidhje me Maqedoninë, mbrëmë vonë dhe sot në mëngjes janë zhvilluar negociata intensive për të arritur një kompromis me Greqinë, dhe nëse nuk do të arrihet, gjithçka do të shtyhet për nesër apo për takimin e radhës që mbahet pas një viti. Megjithatë, gjithçka është në negocim e sipër dhe Presidenti i SHBA, Xhorxh Bush ...
ka dhënë një mesazh të rëndësishëm për hyrjen në Aleancë të tre vendeve të Kartës së Adriatikut. Samiti i Bukureshtit ka nisur punën me një darkë informale, të shtruar nga Presidenti rumun, Trajan Basesku, në pallatin presidencial, ku gjithashtu është negociuar që ftesa të jetë treshe. Megjithatë, e sigurt është se Shqipëria dhe Kroacia do të ftohen zyrtarisht për t‘u bërë anëtare me të drejta të plota në NATO. Ratifikimi i kësaj ftese do të bëhet pas një viti. Bush
Zhurmat dhe zërat për një shtyrje të axhendës mbi dhënien e ftesës për tre vendet e Kartës së Adriatikut që të anëtarësohen në NATO janë larguar fuqishëm nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, i cili ka mbajtur një fjalim të rëndësishëm në një konferencë të organizuar nga "German Marshall Fond". Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka qenë zëri më autoritativ që ka paralajmëruar vendimin që pritet të merret sot paradite në "Shtëpinë e Popullit" nga krerët e shteteve apo të qeverive të 26 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Presidenti amerikan theksoi se NATO do të marrë vendim historik për anëtarësimin e tri shteteve ballkanike - Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë në Aleancë. Duke përforcuar këtë qëndrim, Presidenti Bush theksoi se "SHBA fuqimisht mbështesin ftesën për tri vendet e NATO-s". Pikërisht, kjo frazë e kreut të shtetit më të fuqishëm të botës, i cili është dhe ideatori dhe udhëheqësi i aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme në botë, është pikërisht një mesazh i fuqishëm kundrejt atyre shteteve që kanë sajuar zhurmën për një bllokim të mendimit në seancën e sotme. Duke folur në një takim ku ndodhej bashkë me Presidentin rumun, Presidenti Bush theksoi se "para një dekade Ballkani ishte i shkatërruar prej luftërave, fanatizmit dhe pastrimit etnik. Tani është rajon që rritet në liri, tolerancë dhe paqe. Ky është rezultat i masave vendimtare të NATO-s dhe vendimeve të guximshme të liderëve ballkanikë, të cilët synonin ta mposhtnin dhunën dhe ndarjet nga e kaluara. Në shenjë mirënjohjeje për përparimin, tha Bushi, "NATO nesër (sot, shënim i red.) do të marrë vendim historik për pranimin e tri shteteve ballkanike në NATO. Këto shtete e hapëruan rrugën e mundimshme të reformave dhe ndërtuan shoqëri të suksesshme dhe të lira. Ato janë të gatshme të kontribuojnë edhe në NATO, ndërsa qytetarët e tyre meritojnë sigurinë që garanton NATO", theksoi Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush. Duke folur për aleancat e tjera të NATO-s, Presidenti Bush tha se Ukraina dhe Gjeorgjia duhet të vihen në rrugën e anëtarësimit në aleancë. Ai theksoi se anëtarësimi në NATO duhet të jetë mundësi e hapur për të gjitha demokracitë evropiane. Dy ish-republikat sovjetike kanë kërkuar planet e veprimit të anëtarësimit, lëvizje që kundërshtohet nga Rusia, e cila e sheh si kërcënim zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.
from http://gazeta-shqip.com |